Deklaratë për shtyp mbi situatën në Vjosë–Nartë

Deklaratë për shtyp mbi situatën në Vjosë–Nartë

Deklaratë për shtyp mbi situatën në Vjosë–Nartë

15 Maj 2026, Tiranë Shqipëri

PPNEA dhe EuroNatur zhvilluan një konferencë për shtyp, mbi situatën alarmante në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, duke sjellë dëshmi, dokumentim dhe fakte nga terreni mbi shkatërrimin që po ndodh çdo ditë në zemër të deltës së Vjosës.

Ngritëm shqetësimin urgjent për ritmin e përshpejtuar të ndërhyrjeve infrastrukturore në zonë, ndërkohë që institucionet publike vazhdojnë të japin deklarata kontradiktore dhe të minimizojnë situatën reale në terren.

Gjatë konferencës, drejtori ekzekutiv i PPNEA-së, Aleksander Trajçe, deklaroi se ndërhyrjet në terren po avancojnë çdo ditë me ritme alarmante dhe se peizazhi natyror po ndryshon në mënyrë drastike. Imazhet më të fundit nga zona tregojnë hapje rrugësh të reja, shtrime me materiale të forta për infrastrukturë të përhershme dhe gropa me beton që paraprijnë ndërtimet masive dhe rrethimin e gjithë brezit bregdetar nga Laguna e Nartës deri në Detin Adriatik.

Ai theksoi se zonat nga plazhi i Dalanit, Zverneci, Portonovo dhe deri te Hidrovori po përfshihen gradualisht nga ndërhyrje që rrezikojnë të kufizojnë aksesin publik në të gjithë vijën bregdetare.

Kjo mungesë transparence dhe informacioni publik po krijon konfuzion dhe po lejon vazhdimin e ndërhyrjeve në një nga zonat më të rëndësishme ekologjike.

Përfaqësuesja e EuroNatur, Annet­te Spangenberg, theksoi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me shkelje të legjislacionit kombëtar, por edhe të standardeve dhe detyrimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.

Projektet e planifikuara tregojnë për zhvillimin e një “qyteti të ri” brenda zonës së mbrojtur, me ndërtesa nga 1 deri në 8 kate.Po dëshmojmë zhdukjen e pyllit natyror dhe zëvendësimin e tij me infrastrukturë urbane.

Situata është emergjente dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. PPNEA kërkoi ndalimin e menjëhershëm të punimeve, publikimin e plotë të dokumentacionit përkatës.

Në përfundim të konferencës, PPNEA dhe partnerët i bënë thirrje publikut të bashkohet në protestën që do të zhvillohet të shtunën në orën 11:30 te Hidrovori, Akërni, Vjosë–Nartë.

Vjosa–Narta nuk është shesh ndërtimi.
Dhe nuk duhet të sakrifikohet në heshtje.

HIQNI DUART NGA VJOSË–NARTA!

 

 

Postime të ngjashme