SHKURTA: FLUTURIM PËR MBIJETESË NËN KËRCËNIMIN E GJUETISË SË PALIGJSHME

SHKURTA: FLUTURIM PËR MBIJETESË NËN KËRCËNIMIN E GJUETISË SË PALIGJSHME
Muaji shtator shënon pikun e shtegtimit për shkurtën (Coturnix coturnix), një rrugëtim i cili i ngjan më tepër një fluturimi për mbijetesë. Gjatë përshkimit të mijëra kilometrave nga Evropa jug-lindore drejt Afrikës sub-Sahariane, ky shpend i mrekullueshëm gjendet nën presionin e vazhdueshëm të brakonazhit.
Pavarësisht se shkurta është gjuajtur prej shekujsh, popullata e saj nuk ka qenë e rrezikuar, por përdorimi i mjeteve si imituesit elektronikë, apo vendosja e rrjetave me gjatësi kilometrike përgjatë rrugës së shtegtimit, kanë filluar të ndikojnë negativisht në qëndrueshmërinë e popullatës së këtij lloji.
Shqipëria është një zonë e rëndësishme për shkurtën në korridorin e shtegtimit përgjatë Adriatikut, po ashtu, konsiderohet si një zonë e nxehtë për sa i përket vrasjes së paligjshme të saj me anë të imituesve elektronikë, duke ndikuar në uljen e popullatës botërore të këtij lloji. Imituesit e zërit bëjnë të mundur grumbullimin e shumë individëve të shkurtës në një vendndodhje të caktuar, duke e bërë më të lehtë vrasjen e tyre dhe furnizimin e restoranteve ku serviret mish i egër.
PPNEA i bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese të ngrenë vigjilencën ndaj imituesve që dëgjohen në mënyrë të vazhdueshme, përgjatë netëve, në zonat rurale. Gjithashtu, i lutemi kujtdo që përballet me raste të gjuetisë së paligjshme që t’i raportojë pranë organizatës sonë.
Foto nga BIOM-BPSS
© Watter AlBahry
Postime të ngjashme
Komente

Your email address will not be published.Required fields are marked *