Së fundmi, PPNEA organizoi një trajnim dedikuar monitorimit të shpendëve të pyllit, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga të gjitha Administratat rajonale të zonave të mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Zonave të mbrojtura, si dhe përfaqësues nga PPNEA. Trajnimi u udhëhoq nga eksperti slloven, Tomaz Mihelic, i cili ndau ekspertizën e tij nga @DOPPS Birdlife Slovenia.
Gjatë këtij trajnimi 2 ditor, pjesëmarrësit patën mundësinë të informoheshin nëpëmjet një sesioni teorik mbi metodologjinë e përdorur për monitorimin e disa llojeve të shpendëve të pyllit, të cilët shërbejnë si indikatorë të cilësisë së pyjeve apo ekosistemeve pyjore. Për më tepër, pjesëmarrësit u njohën dhe me disa metoda konkrete të monitorimit të këtyre llojeve, nëpërmjet sesionit praktik të zhvilluar në Rrajcë, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik.
Rritja e kapaciteteve në këtë fushë i shërben institucioneve që punojnë pranë zonave të mbrojtura, duke kontribuar në një monitorim apo menaxhim sa më efektiv të rrjetit të zonave të mbrojtura.
Një falenderim i madh i shkon ekspertit slloven Tomaz Mihelic, për ndarjen e ekspertizës së tij me gjithë pjesëmarrësit mbi metodat më të mira të monitorimit të llojeve të shpendëve të pyllit, si dhe gjithë pjesëmarrësve.