Bashkëpunimi me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Gjirokastër është thelbësor në implementimin e projektit “Jetë e Re për Kalin e Qyqes”, veçanërisht në ndërmarrjen e aktiviteteve si mirëmbajtja e stacioneve suplementare apo parandalimi i rasteve të helmimit. Për këtë arsye, PPNEA ka dhuruar dy frigoriferë në institucionin e AdZM Gjirokastër, të cilët do të shërbejnë për depozitimin e ushqimit, me qëllim furnizimin e vazhdueshëm të të dy stacioneve suplementare.
Helmimi është një prej rreziqeve më domethënëse ndaj popullatës së kalit të qyqes në Shqipëri. Në mënyrë që të parandalohen të tilla raste, stacionet suplementare të ndërtuara nga PPNEA ofrojnë vazhdimisht ushqim të sigurt për këtë specie, të cilat furnizohen prej AdZM Gjirokastër dhe Rrjetit të Shpëtimtarëve të Kalit të Qyqes. Akoma më tej, PPNEA së bashku me Shërbimin Veterinar ka përgatitur e do të shpërndajë në muajt në vijim një numër të lartë kit-esh kundër helmimit në barinjtë e zonave perreth territoreve të kalit të qyqes.