MONITORIMI I FJETORES MË TË MADHE TË SKIFTERIT KTHETRAVERDHË NË SHQIPËRI

MONITORIMI I FJETORES MË TË MADHE TË SKIFTERIT KTHETRAVERDHË NË SHQIPËRI
Ekipi i PPNEA-s fundjavën e kaluar vizitoi fjetoren e skifterit kthetraverdhë në luginën e Drinos. Nga monitorimi i parë u numëruan rreth 330 individë të këtij lloji, duke treguar që tashmë grumbullimet dhe vendosja në fjetore e skifterit kthetraverdhë (Falco naumanni) ka filluar. Pikërisht pas perëndimit, pjesa më e madhe e skifterëve filloi grumbullimin në fjetore, me vetëm pak individë aktiv në muzg. Në muajt në vazhdim, numri i tyre pritet të rritet dhe të arrijë deri në mijëra individë, përpara se të fillojnë shtegtimin drejt vendeve të Afrikës.
 
 
Fjetorja e skifterit kthetraverdhë në luginën e Drinos jo vetëm që është më e madhja në vendin tonë, por konsiderohet si fjetorja më e madhe në të gjithë Evropën. Nga të dhënat e mëparshme numri i individëve të vrojtuar në fjetore u vlerësua me 4000-6000 të tillë. Ky lloj që prej viteve 50’ ka humbur rreth 95% të individëvë riprodhues në shtetet evropiane , ndërkohë që në vendin tonë, është pjesë e listës së kuqe ku mbart statusin “I përkeqësuar (vulnerabël VU)”.
 
PPNEA do të vazhdojë procesin e monitorimit dhe gjithashtu do ju përditësojë mbi të dhënat nga inventarizimi i këtij lloji në Shqipëri.
 
 
Postime të ngjashme
Komente

Your email address will not be published.Required fields are marked *