VRASJA E PALIGJSHME E SHPENDËVE NË SHQIPËRI

VRASJA E PALIGJSHME E SHPENDËVE NË SHQIPËRI
Para pak kohësh PPNEA publikoi rastet mbi vrasjen e paligjshme të llojeve me status ruajtjeje dhe llojeve objekt gjuetie duke vënë theksin në nxitjen e këtij fenomeni nga restorantet apo dhe tregtimi i mishit të egër. Ndërkohë, nën mungesën e zbatimit të moratoriumit dhe luftës ndaj brakonazhit nga autoritetet, një shumicë e gjuetarëve në Shqipëri kanë zgjedhur të respektojnë kalendarin e gjuetisë sipas legjislacionit të vjetër.
Gjatë reklamimit të këtij aktiviteti në grupet e të apasionuarve dhe nga raportime pranë organizatës tonë, janë vënë re raste shqetësuese të brakonazhit apo vrasjes së paligjshme të publikuara në rrjetet sociale. Disa nga këto postime përfshijnë vrasjen në numër të konsiderueshëm të llojeve objekt gjuetie me ndihmën e imitueseve apo metodave të tjera shfarosëse . Gjithashtu ka patur raste të vrasjes së Bengut (Oriolus oriolus) dhe grifshës së detit (Coracias garrulus).
Së fundmi është publikuar në rrjetin social Facebook një video ku gjuhet një individ i mbretit të shkurtës (Crex crex), lloj i cili në Shqipëri ka statusin ‘I përkeqësuar’ dhe është jashtë listës së gjuetisë, duke kryer kështu një vepër të ndaluar dhe jashtë moratoriumit të gjuetisë.
Vihet re se shumë nga personat e pajisur me armë gjuetie kanë mungesë informacioni mbi rregullat e gjuetise, duke përfshirë datat, kohën dhe llojet objekt gjuetie. Këto publikime janë një tregues i përkeqësimit të krimit mbi faunën, mungesës së theksuar të organizimit të strukturave përgjegjëse.
Duke u nisur nga këto publikime të cilat janë vetëm maja e Ajsbergut ndërkohë që situata në terren ka precipituar në kulmin e krimit ndaj jetës së egër, PPNEA bën thirrje për ngritjen sa më të shpejtë të KËSHILLIT KOMBËTAR TË FAUNËS dhe RISHIKIMIN E LIGJIT TË GJUETISË për të evituar degradimin e mëtejshëm të situatës.
Faleminderit të gjithë personave që raportojne pranë PPNEA këto raste dhe të gjithë atyre që kontribojnë për zgjidhjen e këtij problemi!
Postime të ngjashme