TIRANË – Sot do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore për Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 60, datë 26.1.2022, “Për Shpalljen e Ekosistemeve Natyrore, Rezervave Natyrore/Parqeve Natyrore të Menaxhuara (Kategoria IV), në Gjykatën Administrative të Apelit. 10 Organizata të Shoqërisë Civile Mjedisore Shqiptare kanë paditur autoritetet publike për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.59 dhe nr.60, që cenon integritetin territorial gjeografik dhe social-ekologjik të Zonave të Mbrojtura.
Kujtojmë se pas shpalljes së dy vendimeve në janar 2022, organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit kanë kundërshtuar këto dy vendime të Këshillit të Ministrave për Zonat e Mbrojtura. Vendimet e mësipërme reduktojnë sipërfaqen e Zonave Ligatinore të Mbrojtura, heqin habitatet e çmuara prej tyre, hapin rrugën për zhvillime të paqëndrueshme në ose në afërsi të tyre, rrisin ndikimet negative në zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura, shterojnë habitatet dhe speciet, godasin larminë biologjike të këtyre zonave dhe të gjithë Shqipërisë.
Vendimet synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro. Pas tyre fshihen zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, bujqësi intensive, sipërfaqe habitatesh të mbuluara nga parqe industriale me panele fotovoltaike dhe turbinat ere etj. Këto investime bien në kundërshtim me funksionet ekologjike të Zonave të Mbrojtura bregdetare. Për pasojë vendimet janë fillimi i fundit të Zonave të Mbrojtura ligatinore të Shqipërisë dhe njëkohësisht përbëjnë dëmtim të gjithë larmisë biologjike të vendit.
Proçesi i ndjekur për marrjen e këtyre vendimeve është i mbushur me shkelje ligjore të njëpasnjëshme. Përmbajtja e vendimeve mbart paligjshmëri; për rrjedhojë vendimet janë të paligjshme. Gjithashtu, gama e gjetjeve do të apelohet në konventat për mbrojtjen e natyrës, në të cilën Shqipëria është palë. OShC dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit të përballur me këtë shkelje të ligjit kanë përgatitur argumentet e tyre me ekspertizën e tyre përkatëse në fushën e mjedisit, të cilat do të mbështesin padinë për shfuqizimin e dy VKM-ve me nr. 59 dhe nr. 60.
Gjithashtu, jo më vonë se 26 janari i këtij viti, një grup prej 51 organizatash dhe përfaqësuesish të institucioneve shkencore, kërkimore dhe akademike nënshkruan një Deklaratë për mbrojtjen e rrjetit të Zonave të Mbrojtura, e cila adresonte reduktimet e sipërfaqeve por edhe planet famëkeqe për shkatërrimin e Zonave të Mbrojtura Ligatinore.