Shumë shtete Europiane nuk pajtohen me marrëveshjen ligjore ndërkombëtare për sa i përket zbutjes së situatës së hibridizimit ujk-qen, e cila sipas një studimi është hasur nëpër të gjithë kontinentin.
Në aspektin biologjik, ujqërit dhe qentë janë pjesë e të njëjtës specie, ku në kushte të degraduara ekologjike, është e mundur që të çiftohen e të prodhojnë pasardhës të shëndetshëm. “Në shkallë të lartë e të përsëritur, të tilla hibridizime mund të tjetërsojnë identitetin gjenetik të popullatave të ujqërve, duke ndikuar potencialisht sjelljen e tyre, ekologjinë dhe vlerën konservuese”, pohon Prof. Paolo Ciucci nga Universiteti Sapienza në Romë, i cili mbikëqyri studimin.
Falë mundit të vazhdueshëm mbi ruajtjen, si mbrojtja ligjore dhe menaxhimi i habitateve, duke përjashtuar vetë rikthimin e ujqërve, kjo specie po përhapet në mënyrë graduale nëpër Europë, përgjatë dekadave të fundit. Duhet theksuar, sidoqoftë, se kjo përhapje “është duke sjellë ujqërit në terrenet bujqësore në mënyrë të vazhdueshme, ku mundësitë që të përballen me qentë janë të larta, nga ku rriten edhe shanset e hibridizimit. Njëkohësisht, aktiviteti i gjuetisë, qoftë ligjor ose jo, mund të shpërbëjë kohezionin social të tufës së ujqërve, duke sjellë mundësi më të larta takimi midis ujqërve dhe qenve”, pohon Ciucci.
Studimi përfshiu edhe një anketim social të drejtuar prej Dr. Valeria Salvatori, pjesë e Institutit të Ekologjisë së Aplikuar në Romë, drejtuar të gjithë antarëve të Iniciativës Europiane për Mishngrënësit e Mëdhenj (Large Carnivore Initiative for Europe www.lcie.org), një grupi të specializuar të Komisionit për Mbijetesën e Specieve, brenda Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës. “Qëllimi ynë është të investigojmë rastet e hibridëve ujk-qen nëpër të gjithë kontinentin Europian dhe të vlerësojmë angazhimin e qeverive në lidhje me dy pjesët kryesore të Legjislacionit Europian mbi mbrojtjen e natyrës: Konventa e Bernës dhe Direktiva Europiane për Habitatet, të cilat kërkojnë që ky hibridizim të adresohet dhe menaxhohet”, shtoi Dr. Salvatori.
Anketimi zbuloi se pjesa më e madhe e vendeve Europiane të cilat strehojnë popullata të qendrueshme ujqërish, nuk kanë politika kombëtare të cilat adresojnë në kohë dhe në mënyrë efektive problemin e hibridizimit, duke dështuar gjithashtu edhe në implementimin e masave për zbutjen e tij, sikundër nuk ekzistojnë as marrëveshjet ndërkombëtare dhe standartet për menaxhimin në mënyrë efektive, ligjore dhe shoqërisht të pranuar të çështjes në fjalë. Ndërkohë që hibridët ujk-qen janë parë në të gjitha popullatat Europiane të ujqërve, ekspertët i frikësohen rritjes së nivelit të problemit në kontinent. Megjithatë, për momentin, hibridët duket se janë të pakët në numër, për të cilën Dr. Salvatori shprehet se “ne jemi ende në pozitë për të adresuar këtë çështje në mënyrë efektive, nëse ndërmerret aksion i menjëhershëm në shkallë kontinentale”.
Shumica e shteteve aktualisht mbështeten në testet gjenetike për të dalluar hibridët, të cilat janë më tepër të besueshme duke e krahasuar me metodën e ekzaminimit të aparencës fizike, e cila vuan prej subjektivitetit. Megjithatë, proçedurat dhe mjetet e përdorura prej analizës gjenetike variojnë midis laboratorëve përgjatë Bashkimit Europian, duke penguar një qasje të standartizuar dhe krahasueshmërinë e plotë të rezultateve.
Nga ana tjetër, kjo dëmton analizën kohore të fenomenit, matjen e saktë të shtrirjes së përgjithshme të hibridizimit të ujqërve në Europë dhe implementimin e masave efektive zbutëse ndaj situatës.
“Në ditët e sotme, i njejti individ mund të etiketohet si ujk i pastër ose hibrid në varësi të laboratorëve ku kryhen analizat. Duke marrë parasysh se ujqërit nuk i respektojnë kufijtë politikë dhe shpesh i kalojnë ato, standartizimi i procedurave të testimit dhe mjeteve përgjatë laboratorëve Europianë, është i rendësishëm në promovimin e menaxhimit efektiv”, thekson Salvatori.
“Një çështje tjetër lidhet me aftësinë e hibridëve për t’u kthyer përsëri në ujk, duke u sjellë me tepër si të tillë, e cila na lë në një vendim arbitrar në lidhje me momentin kur duhet të ndalojmë së konsideruari një individ të rikthyer si hibrid dhe ta trajtojmë si një ujk. Në këto momente, mungon dakordësia shkencore mbi çështjen në fjalë, e cila nevojitet së tepërmi në mënyrë që të sigurohet se të gjithë shtetet janë duke punuar drejt të njëjtit qëllim”, vazhdon Ciucci.
Ky studim, një angazhim i përbashkët midis 37 ekspertëve nga 34 institucione Europiane me fokus akademik, kërkimor dhe menaxherial, avancon kriteret teknikë të këtij përkufizimi, me shpresë se kjo do të rezultojë në “nxitjen e implementimit dhe monitorimin sistematik në lidhje me matjen e efektivitetit të politikave zbutëse në adresimin e hibridizimit ujk-qen përgjatë Europës”, përmbyll Ciucci.
“Drejtimi i qartë ndërkombëtar, veçanërisht në çështjet përkufizuese, është thelbësor në promovimin e përmbushjes së detyrimeve prej qeverive Europiane, të cilat nevojitet që të bashkpunojnë dhe të sinkronizojnë veprimet, në mënyrë që të adresohet efektivisht kjo çështje. Të dhënat praktike e të qarta mbi mënyrën si të menaxhohen e parandalohen, si hibridët ujk-qen, ashtu edhe qentë endacakë, duhet të inkorporohen në ligjet Europiane dhe kombëtare me urgjencë, duke ndjekur qasje menaxheriale të cilat kanë treguar se janë efektive në adresimin e çeshtjeve të ngjashme, si ajo e kanidëve të egër në Amerikën Veriore. Sidoqoftë, është me rendësi që ligjbërësit dhe administratorët të mos bien në kurthin e të parit të hibridëve ujk-qen si një lloj gjahu apo si kafshë të pambrojtura. Kjo do të sillte një ngërç ligjor dhe do të rriste shanset e vrasjes së një ujku, duke e deklaruar si një hibrid”, shton Dr. Salvatori.
Menaxhimi i hibridëve ujk-qen në praktikë është një çështje komplekse dhe gjerësisht e debatuar, të cilën disa nga autorët e këtij studimi të ri e kanë adresuar në një punë të mëparshme, të publikuar në Frontiers in Ecology and Evolution (Donfrancesco et al. 2019).
Salvatori, V. Donfrancesco, A. Trouwborst et al. 2020. European agreements for nature conservation need to explicitly address wolf-dog hybridisation. Biological Conservation. https://doi.org/10.1016/j.biocon.2020.108525