Maratona e Gjirokastrës, e kthyer tashmë në traditë nga PPNEA dhe AdZM Gjirokastër, nuk mund të anashkalohej për këtë vit, pavarësisht kushteve të vështira të imponuara nga pandemia Covid-19.
Stafi ynë, së bashku me AdZM Gjirokastër, organizuan nxënësit e shkollës së mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri” për të vrapuar në kuadër të Ditës Botërore të Shpendëve Shtegtarë. Nxënësit u bashkuan me kënaqësi në këtë nismë, duke mbajtur të veshur edhe bluzat me siluetën e shkabës së mrekullueshme, kalit të qyqes.
Stafi i Policisë së Shtetit, si dhe shërbimi i Emergjencave Shëndetësore, qëndruan në gatishmëri përgjatë të gjithë aktivitetit, duke siguruar mbarëvajtjen e garës. Eventi u ndoq edhe prej Prefektit të Qarkut Gjirokastër, z. Astrit Aliaj, të cilin gjejmë rastin ta falenderojmë për mbështetjen!
Ky event u realizua në kudër të projektit “Jetë e Re për Kalin e Qyqes”, i financuar nga Komisioni Europian, me bashkëfinancim nga fondacioni “A.G. Leventis”.
© PPNEA
© PPNEA
© PPNEA