Projekti Zonat e Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit #PA4NP filloi zbatimin e një programi të ri edukimi për fëmijët në brendësi të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Gjatë dy ekskursioneve edukative të realizuara nga ekspertët e PPNEA dhe AdZM Elbasan, fëmijët e Shkollës së Bashkuar “Shefqet Dosku” në Dorëz vizituan pyjet e Rrajcës, pjesë e trashëgimisë botërore UNESCO, ndërkohë që ata të Shkollës “Sali Halili” Rrajcë u njohën me qendrën e vizitorëve dhe pyjet e Fushë-Studnës. Një shkëmbim i tillë u realizua me qëllim që fëmijët të kuptonin shtrirjen e gjerë të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Gjithsej, 50 fëmijë u bënë pjesë e një sërë aktivitetesh, të cilat kishin si qëllim rritjen e atashimit të tyre me mjedisin natyror, duke mësuar nëpërmjet lojrave të ndryshme mbi llojet e shpendëve, kafshëve apo edhe bimëve që gjenden në brendësi të këtij parku.
Fëmijët dhe mësuesit e pritën me entuziasëm përfshirjen në këto lojëra edukuese, të cilat ndryshojnë nga mësimdhënia e zakonshme në mjediset e shkollave, si dhe shprehën gatishmërinë për tu bërë pjesë e aktiviteteve të ardhshme në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
© PPNEA
© PPNEA
© PPNEA