NJOFTIM PËR SHTYP
Bari, 10.12.2025
Takimi i parë i projektit LASPEH 2.0 shënoi pikënisjen zyrtare të një nisme të re ndërkufitare, që synon forcimin e qëndrueshmërisë së ekosistemeve në rajonin e jugut të Adriatikut. I zhvilluar më 10 dhjetor 2025 dhe i organizuar nga Rajoni i Pulias, Departamenti për Mjedisin, Peizazhin dhe Cilësinë Urbane, takimi mblodhi autoritete dhe ekspertë nga Italia, Mali i Zi dhe Shqipëria për të koordinuar hapat e parë operacionalë të projektit.
Rajoni i jugut të Adriatikut karakterizohet nga ekosisteme unike, laguna bregdetare, masive malore dhe zona ligatinore, të cilat po përballen gjithnjë e më shumë me humbjen e biodiversitetit. Lloje si kali i detit në Mar Piccolo të Tarantos, ariu i murrmë marsikan në Italinë qendrore, si dhe habitate të ndjeshme në Mal të Zi dhe Shqipëri, janë nën presion të vazhdueshëm për shkak të ndryshimeve klimatike, ndotjes dhe ndikimeve antropogjene.
Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, projekti LASPEH 2.0, i bashkëfinancuar nga Programi Interreg IPA South Adriatic 2021–2027 me një buxhet total prej 870.156,33 euro, do të zbatojë masa dhe veprime të synuara për ruajtjen e natyrës në tre vendet pjesëmarrëse. Projekti fokusohet në forcimin e qëndrueshmërisë së ekosistemeve dhe përmirësimin e praktikave të menaxhimit, në përputhje me Strategjinë e BE-së për Biodiversitetin 2030 dhe Ligjin Europian për Restaurimin e Natyrës.
Veprimet e planifikuara përfshijnë: mbrojtjen e kalit të detit në Parkun Natyror Rajonal Mar Piccolo në Taranto, masa të përmirësuara ruajtjeje për ariun e murrmë Marsikan në zonën Natura 2000 “Gruppo del Meta – Catena dei Mainarde” në Molise, restaurimin e habitatit torfor në Liqenin Barno, në Parkun Kombëtar Durmitor në Mal të Zi, si dhe ndërhyrje të dedikuara në Lagunën e Nartës në Shqipëri. Këto aktivitete do të kontribuojnë në zhvillimin e metodologjive të përditësuara të ruajtjes, forcimin e kapaciteteve të monitorimit dhe përmirësimin e mjeteve të menaxhimit, të cilat mund të transferohen edhe në zona të tjera të mbrojtura brenda zonës së Programit.
Projekti parashikon gjithashtu aktivitete trajnimi, nisma ndërgjegjësuese dhe hartimin e një strategjie të përbashkët për forcimin e menaxhimit të integruar të zonave të mbrojtura, si dhe rritjen e kapacitetit të ekosistemit për t’iu përgjigjur sfidave globale mjedisore. Rezultatet e pritshme do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për autoritetet publike përgjegjëse për menaxhimin e zonave Natura 2000, për ekspertët e ruajtjes së natyrës dhe për institucionet rajonale, duke ofruar zgjidhje operacionale dhe qasje të përbashkëta për mbrojtjen e biodiversitetit.
Përmes këtij bashkëpunimi, projekti synon jo vetëm të përmirësojë kapitalin natyror të zonës së Programit, por edhe të forcojë kapacitetet teknike dhe menaxheriale të të gjithë partnerëve pjesëmarrës.
Gjatë takimit të parë, partnerët u dakordësuan mbi procedurat e menaxhimit të projektit, kërkesat e komunikimit dhe paketat e punës teknike që do të udhëheqin zhvillimin e veprimeve të përbashkëta të ruajtjes gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit.
Projekti LASPEH 2.0 zbatohet nga një partneritet ndërkufitar i përbërë nga: Rajoni i Pulias – Departamenti për Mjedisin, Peizazhin dhe Cilësinë Urbane (Partner Kryesor), Parku Kombëtar i Abruzzos, Lazios dhe Molises, Ndërmarrja Publike për Parqet Kombëtare të Malit të Zi, Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, si dhe Bashkia e Tarantos.
Partner Kryesor – Menaxhere e Komunikimit
Valentina De Pinto – [email protected]
Zyrtare e Komunikimit Interreg IPA South Adriatic – Rajoni i Pulias
Carmela Sfregola, +39 349 3916007, [email protected]
Partner në Shqipëri
Denisa Kasa, PPNEA – [email protected]
Zyrtare e Komunikimit
Lorena Pyze Xhafaj, PPNEA – [email protected]
—————————————————————————————————————————–———–———–——– www.southadriatic.eu
Programi Interreg IPA South Adriatic 2021–2027 është një program bashkëpunimi ndërkufitar, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA III), me një buxhet total prej 81.258.768,19 euro (përfshirë 17,51% bashkëfinancim). Programi ndërtohet gjerësisht mbi rezultatet dhe përvojën e Programit Interreg IPA CBC Itali–Shqipëri–Mal i Zi 2014–2020.
Programi menaxhohet nga Rajoni i Pulias, i cili merr pjesë së bashku me një tjetër rajon italian, Molisen, ndërkohë Shqipëria dhe Mali i Zi marrin pjesë me të gjithë territorin e tyre. Qëllimi kryesor i programit është promovimi i Jugut të Adriatiku më të mirë, më të gjelbër, më të ndërlidhur, më social dhe të qeverisur më mirë, si dhe forcimi i bashkëpunimit në këtë zonë, përmes zbatimit të veprimeve të përbashkëta ndërmjet aktorëve institucionalë kombëtarë e rajonalë dhe organizatave jofitimprurëse, duke nxitur zhvillim të mençur, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.





