Arritja e Parkut Kombëtar nuk mund të kthehet në Pazar Kombëtar

Arritja e Parkut Kombëtar nuk mund të kthehet në Pazar Kombëtar

Anëtarë të PPNEA ishin të pranishëm në ceremoninë e shpalljes së lumit Vjosa Park Kombëtar, duke e vlerësuar këtë ngjarje me rëndësi kombëtare edhe si mbështetje për të gjitha organizatat që kanë punuar për të arritur këtë rezultat. Lumi i parë i egër i shpallur Park Kombëtar, përbën një precedent të mirë për ruajtjen e natyrës që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

Fatkeqësisht, Vjosa nuk do të mbrohet ashtu si i takon. Shpallja e Parkut Kombëtar Lumi i Vjosës ka lënë mënjanë ndoshta zonën më të rëndësishme të këtij lumi, deltën e tij, që është zona e mbrojtur Vjosë-Nartë, ku e njëjta qeveri është duke mbështetur ndërtimin e një aeroporti ndërkombëtar disa metra larg lagunës.

Pasi përfundoi fjalën përshëndetëse, Kryeministri rifilloi një fjalim intimidues duke pohuar; – “Më thanë se këtu ndodhet dikush që vazhdon të na cimbisë me zogjtë e aeroportit të Vlorës”. Për të vazhduar më tej deklarimin se pavarësisht gjithçkaje “puna për ndërtimin e aeroportit do të vazhdojë”.

Narrativa e ruajtjes së natyrës, e propaganduar gjatë fjalimit përshëndetës të Kryeministrit para se të përmendej çështja e aeroportit, u hodh poshtë nga vetë ky i fundit i cili zgjodhi që publikisht t’i kërkojë organizatave të shoqërisë civile të “mos e shqetësojnë” për këtë çështje.

“Mali me dokumenta” i përmendur nga kryeministri Rama është një mal me prova të paraqitura nga organizatat mjedisore për të kundërshtuar ndërtimin e aeroportit brenda zonës së mbrojtur.

Postime të ngjashme