Lançimi i projektit të financuar nga BE, synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për të luftuar problemin e helmimit të jetës së egër në Ballkan, i cili është një nga shkaqet më kryesore për uljen e numrit të popullatave të shumë llojeve të rrezikuara.
Pavarësisht se helmimi i jetës së egër është një aktivitet i jashtëligjshëm në Ballkan, kjo praktikë e dëmshme është ende e përhapur dhe përbën një rrezik të konsiderueshëm për jetën e egër, mjedisin, shëndetin e njerëzve dhe, në veçanti, për shkabat. Falë aksioneve ruajtëse, është bërë një progres i konsiderueshëm në këtë drejtim, dhe tani, me lançimin e këtij projekti ambicioz, ne do të vazhdojmë akoma më tej drejt luftimit të këtij problemi! Në projektin “BalkanDetox Life”, nëntë organizata do të punojnë së bashku me grupet e interesit kombëtare e ndërkombëtare, duke filluar nga autoritete qeveritare, gjuetarë dhe barinj, në mënyrë që të minimizohet kërcënimi i helmimit dhe të arrihen rezultate konkrete përgjatë 7 vendeve të Ballkanit.
“Projekti BalkanDetox Life është ndërtuar mbi themelet e qëndrueshme të punës së Fondacionit për Ruajtjen e Shkabave në projektin Ballkanik Kundër-Helmimit (BAPP), veçanërisht në sigurimin e angazhimit të institucioneve qeverisëse ndaj çështjes së helmimit të jetës së egër. Projekti në fjalë do të mundësojë vazhdimin e kësaj iniciative për të përmirësuar menaxhimin e incidenteve të helmimit, si dhe arrijë një ulje të konsiderueshme të numrit të shkabave të ngordhura nga përdorimi i paligjshëm i helmeve në këtë rajon”, thotë Uroš Pantović, Koordinator i Projektit BalkanDetox Life.
Rasti më i zakonshëm i helmimit të jetës së egër në Ballkan vjen prej përdorimit të kurtheve të helmatisura, si një mënyrë për të vrarë kafshët grabitqare, të cilat shkaktojnë dëme në bagëti apo lloje të tjera. Përtej kafshëve të targetuara nga kjo veprimtari, lloje të tjera në mënyrë indirekte bien viktimë e këtyre kurtheve. Shkabat, duke qenë se janë lloje që ushqehen me kërma, bien lehtësisht viktimë e helmeve, qoftë duke konsumuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kurthin me helm, apo duke u ushqyer me kafshët të cilat e kanë konsumuar atë. Incidentet e shpeshta të helmimit të Ballkan kanë rezultuar në 465 raste të konfirmuara të ngordhjes së shkabave në 20 vitet e fundit. Një studim i VCF tregon se së paku 115 shkaba ngordhin çdo vit nga helmimi në Ballkan, duke qenë se vetëm 20% e incidenteve zbulohen e dokumentohen.
“Ky problem alarmues ka shkaktuar zhdukjen e llojeve të shkabave në vendet e Ballkanit, ku popullatat janë me numra të ulët e të fragmetuar. Për këtë arsye, duhet që në mënyrë urgjente të adresojmë këtë problem, nëse duam që t’i rimëkëmbim këto popullata në nivelet dhe shpërndarjen e mëparshme. Shkabat njihen si skuadra pastruese e natyrës, të cilat largojnë mbetjet e kafshëve të ngordhura, duke ndihmuar në shëndetin e ekosistemeve, që përkthehet në përfitim si për natyrën, jetën e egër, po ashtu edhe shoqërinë njerëzore!”, thotë José Tavares, Drejtues i VCF.
Projekti BalkanDetox Life synon të ndryshojë sjelljen dhe perceptimin e një numri të gjerë aktorësh, duke filluar nga vendimmarrësit, publiku i gjerë, e deri tek përdoruesit e kurtheve të helmatisur. Skuadra e projektit do të rrisë ndërgjegjësimin mbi helmimin e jetës së egër, si dhe do të këshillojë mbi mënyra alternative të zgjidhjes së konflikteve midis njeriut dhe jetës së egër, si masat parandaluese që nuk dëmtojnë kafshët dhe as mjedisin. Akoma më tej, projekti do të forcojë kapacitetet operative, do të koordinojë aksionet institucionale për të përmirësuar menaxhimin e incidenteve të helmimit, do të lehtësojë një përgjigje efektive ndaj këtyre incidenteve, si dhe do të forcojë përpjekjet për t’i parandaluar ato. Qëllimi final është minimizimi i shkallës dhe qëllimit të helmimit të jetës së egër në Ballkan, duke ndihmuar në ruajtjen e natyrës e të njerëzve!
“Helmimi i jetës së egër është një krim mjedisor, dhe si i tillë kërkon përfshirjen e autoriteteve për të regjistruar, investiguar dhe ndëshkuar këto aktivitete. Ky projekt do të punojë së bashku me institucionet ligjzbatuese për ta arritur këtë”, thotë Jovan Andevski, Menaxher i Programeve të Ruajtjes pranë VCF.
Projekti “BalkanDetox Life” është një përpjekje pesë-vjeçare me një buxhet prej 1.8 milionë €, i cili financohet nga programi LIFE i Bashkimit Evropian. Ai bashkëfinancohet nga VCF, Fondacioni Mava dhe EuroNatur, si dhe Fondi Whitley për Natyrën, apo Fondi për Mbrojtjen Mjedisore dhe Efiçencën Energjitike. Ky projekt do të implementohet në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Greqi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi. Partnerët e projektit janë Vulture Conservation Fund, si njësi koordinuese, për të vazhduar me Albanian Ornithological Society, Association BIOM, Bird Protection and Study Society of Serbia, Fund for Wild Flora and Fauna, Hellenic Ornithological Society, Macedonian Ecological Society, Ornitološko društvo NAŠE Ptice dhe Protection and Preservation of Natural Environment in Albania. Akoma më tej, ky projekt bazohet në praktikat më të mira Spanjolle dhe mbështetet nga Junta de Andalucía dhe Ministria e Tranzicionit Ekologjik dhe Ndryshimeve Demografike.