NGA NJË PERDE E HEKURT NË NJË BREZ TË GJELBËR QË LIDH EVROPËN

NGA NJË PERDE E HEKURT NË NJË BREZ TË GJELBËR QË LIDH EVROPËN

Festohet në Shirokë dhe Ulqin Dita Evropiane e Brezit të Gjelbër

Kjo ditë përfaqëson një simbolikë të veçantë, e cila është ndërtuar prej transformimit të barrierave politike që ndanin Evropën Lindore me atë Perëndimore para viteve 90’, në vende me biodiversitet e natyrë të mrekullueshme, që bashkojnë njerëzit dhe i bëjnë ata të ndjejnë një identitet të përbashkët. Këto zona ndërkufitare, për shkak të aktivitetit të ulët njerëzor për shumë vite me radhë, i kanë dhënë mundësi natyrës të shpalosë vlerat e veta, duke na trashëguar peizazhe mahnitëse, apo lloje me rëndësi të veçantë për biodiversitetin.

Në kuadër të kësaj dite, PPNEA në bashkëpunim shoqatën MSJA- Dr. Martin Schneider Jacoby Association dhe organizatën Well Point vizituan një nga ligatinat më të rëndësishmë përgjatë bregdetit Adriatik. Në Parkun natyror të Kripores së Ulqinit, ekspertë të fushës, së bashku me studentë të kësaj zone, patën mundësi të përvetësojnë metodologjinë e monitorimit dhe identifikimit të llojeve të ndryshëm të shpendëve.

Festimi i kësaj dite vazhdoi me bashkimin e të gjitha organizatave në panairin e zhvilluar në shëtitoren e Shirokës. Ky aktivitet i mbwshtetur nga Bashkia Shkodër, kishte si qëllim promovimin e vlerave kulturore  dhe natyrore nëpërmjet panairit me produkte lokale, fotografi të jetës së egër, apo me veshjet tradicionale të zonës, ku u theksua bashkëpunimi ndërkufitar si një domosdoshmëri për ruajtjen e natyrës dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm.

© PPNEA © PPNEA
Postime të ngjashme