VROJTIM I RRALLË I MJELLMËS SË VOGËL (CYGNUS COLUMBIANUS) NË SHQIPËRI

VROJTIM I RRALLË I MJELLMËS SË VOGËL (CYGNUS COLUMBIANUS) NË SHQIPËRI
Më 27 shkurt 2021, gjatë një praktike të kurseve BirdID dhe BirdON në Rezervuarin e Thanës apo Rezervuarin e Murrizit, sikurse njihet ndryshe (pjesë e qarkut të Beratit/Fierit dhe Elbasanit) u vrojtuan 4 individë të mjellmës së vogël (Cygnus columbianus).
 
Ndyshe nga dy llojet e tjera të mjellmave që shihen në vendin tonë (mjellma me xhungë – Cygnus olor dhe mjellma qafëdrejtë – Cygnus cygnus), mjellma e vogël është hasur rrallëherë, duke numëruar gjashtë vrojtime të mëparshme në Thanë, në 1996, 2003, 2013, 2014, 2017 dhe 2019, në 2004 në Kune-Vain si dhe një vrojtim në Divjakë në vitin 2011.
 
Mjellma e vogël është lloj që folezon në arktik, nga gadishulli Kola në Palearktik dhe duke u shtrirë në të gjithë tundrën Siberiane, më tej në pjesën Nearktike nga Alaska deri në deltën e lumit Anderson në Kanada. Popullata folezuese e Siberisë dimëron më në jug të Palearktikut dhe në Indomalajazi, ndërsa popullata e Nearktikut dimëron në jug të po kësaj zone. Dimërimi i këtij lloji, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjitha vendet e Adriatikut lindor është i rrallë. Megjithatë shpendi haset rregullisht dhe në numër të lartë në Egje dhe në Detin e Zi.
 
Njëri prej shpendëve ishte i pajisur me gjurmues satelitor. Kontakti me kolegë të huaj na mundësoi të mësonim se kjo mjellmë ka lindur në gusht 2019 në zonat ligatinore të Detit Petchora (Siberi, Rusi) ku dhe është pajisur me gjurmues nga Dr. Didier Vangeluwe (Qendra e Unazimeve të Belgjikës, Instituti Mbretëror i Belgjikës për Shkencat Natyrore). Prej këtu, mjellma e vogël ka udhëtuar me mijëra kilometra për të dimëruar në deltën e lumit Evros midis Greqisë dhe Turqisë. Nisur nga ky vend, shpendi qëndron fillimisht në Liqenin e Kerkinit dhe shfaqet më 1 Janar 2021 në Shqipëri në liqenin e Thanës ku qëndron deri në mëngjesin e 27 Shkurtit 2021. Tani shpendi duket se ka marrë sërish rrugën e kthimit në vendlindje.
 
Sikurse tregojnë të dhënat e shumta të monitorimeve të kryera, Ballkani lindor është kthyer në një vatër të rëndësishme dimërimi të mjellmës së vogël ndërsa rastet e dimërimit në Ballkanin perëndimor, ndonëse të rralla, tregojnë gjithsesi se ligatinat shqiptare mbeten një vend i parapëlqyer për shpendët e ujit shtegtarë.
 
© PPNEA
 
 
Rruga e shtegtimit
 
© PPNEA
Postime të ngjashme