Rrëqebulli i Ballkanit, një hap larg nga marrja e statusit “Lloj i zhdukur” nga Republika e Shqipërisë.
Sezoni i monitorimit intensiv të rrëqebullit të Ballkanit vazhdon edhe gjatë fillimit të kësaj pranvere, ku ekipi i PPNEA në bashkëpunim me @adzm_lezhe, @adzm_shkoder dhe Adzm Kukës, vendosën kamera-kurth në gjithë Parkun Natyror të Munellës.
Temperaturat e ulta dhe aksesimi tejet i vështirë i këtij rajoni nuk e ka ndalur shpresën për identifikimin e sa më shumë individëve të këtij lloji emblematik për Ballkanin.
Nga kontrolli i parë janë marrë disa foto rrëqebulli, por nga vlerësimet e realizuara rezulton të ketë gjithmonë e më pak individë, në krahasim me vitet e kaluara.
Ndonëse është ende herët për ta thënë, por trendi i viteve të fundit tregon se jemi vetëm një hap larg nga marrja e statusit “lloj i zhdukur” nga Republika e Shqipërisë.
Për rimëkëmbjen e këtij lloji duhen marrë menjëherë masa direkte konservuese si ndalimi i shpyllëzimit masiv të paligjshëm të vendit, aksione pyllëzimi në të gjithë vendin, si dhe ndalimi i gjuetisë së paligjshme nëpërmjet kontrolleve dhe zbatimit të ligjit.
Ndiqni komunikimet tona dhe bashkohuni në aktivitetet e ardhshme për të kontribuar në rimëkëmbjen e rrëqebullit të Ballkanit!