SFIDAT E MONITORIMIT TË POPULLATËS SË KALIT TË QYQES

SFIDAT E MONITORIMIT TË POPULLATËS SË KALIT TË QYQES
Monitorimi i kalit të qyqes është një ndër aktivitetet e zbatuara nga PPNEA në kuadër të ruajtjes dhe mbrojtjes së shkabës së fundit folezuese në Shqipëri. Secila fazë monitoruese, që prej ardhjes së këtij lloji në vendin tonë gjatë muajve mars – prill, e deri te largimi i tyre në muajin shtator, është ndryshe e mëparshmja dhe e mbushur plot me emocion. Gjatë periudhës së riprodhimit, ekipi i PPNEA-s ka vizituar e monitoruar vazhdimisht territoret e kalit të qyqes me qëllim mbledhjen e të dhënave solide për krahasimin e trendit të popullatës së këtij lloji, apo marrjen e masave për rimëkëmbjen e saj.
Monitorimi i produktivitetit të kalit të qyqes në vend është një ndër fazat më sfiduese të këtij procesi. Për të evituar edhe shqetësimin më minimal gjatë këtij vlerësimi, ekipit tonë i duhet të pozicionohet në largësi të konsiderueshme përballë folesë. Për të zbatuar këtë, shpesh jemi hasur me veshtirësi si ngjitjet në terrene të thyera për të patur vizibilitet brenda folesë, ndryshime të motit deri ne shi të rrëmbyeshëm, apo kalimi i disa orëve në diellin përvëlues të verës. Në fund, këtyre vështirësive i shtohet edhe kamuflimi perfekt i zogjve të kalit të qyqes, të cilët mund të kalojnë orë të tëra pa bërë asnjë lëvizje në fole.
Përpjekjet kombëtare e ndërkombëtare për ruajtjen e popullatës së këtij lloji do të vazhdojnë edhe pas largimit të kalit të qyqes në vendet e dimërimit, me qëllim uljen e rrezikut ndaj elektroshokut, helmimit, apo degradimit të habitatit.
Postime të ngjashme