Takim ndërgjegjësues me Rrjetin “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes” në Gjirokastër

Takim ndërgjegjësues me Rrjetin “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes” në Gjirokastër
Gjatë punës disavjeçare të PPNEA për ruajtjen e kalit të qyqes në vend, u krijua rrjeti “Shpëtimtarët e Kalit të qyqes”, i përbërë nga barinj, fermerë, gjuetarë, veterinerë etj që gjenden në afërsi të territoreve të folezimit të kalit të qyqes (Neophron percnopterus). Ky rrjet lokal, konsiderohet si një aktorët kryesorë që mund të luajnë një rol kyç në ruajtjen e këtij lloji të rrezikuar globalisht.   Ekipi PPNEA zhvilloi ditën e premte një takim me anëtarë të rrjetit, ku u diskutuan tematika të ndryshme, qe kishin në fokus informimin dhe ndërgjegjësimin e anëtarëve të rrjetit mbi impaktet negative të praktikës së helmimit, metodat alternative që mund të përdoren për zgjidhjen e konflikteve njeri-jetë e egër, si dhe u diskutua se si prania e kalit të qyqes në zonat ku ata jetojnë apo turizmi i kundrimit të shpendëve, mund të shërbejë si një mjet për gjenerimin e të ardhurave për komunitetin.   Pjesëmarrës në këtë takim ishin gjithashtu përfaqësues nga ADZM Gjirokastër, ISUV dhe Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit Gjirokastër, të cilët dhanë një pasqyrim më të plotë të kuadrit ligjor për përdorimin helmeve, apo dhe masave ndëshkuese për ushtrimin e kësaj praktike të paligjshme, e konsideruar tashmë si krim mjedisor.   Ky takim u zhvillua në kuadër të projekteve Egyptian Vulture New Life dhe Balkan Detox LIFE, që kanë si synim reduktimin e helmimit të faunës së egër, veçanërisht të shkabave, në Ballkan dhe më tej.
© PPNEA
© PPNEA
Postime të ngjashme