Njoftim për shtyp i përbashkët nga AOS, PPNEA dhe EuroNatur
5 dhjetor 2022
Tjetër kundërshtim ndaj ndërtimit të Aeroportit të Vlorës
Qeveritë evropiane i kërkojnë qeverisë shqiptare ndalimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës me argumentin kryesor: mungesë të theksuar të zbatimit të ligjeve kombëtare e ndërkombëtare.
Strasburg, Tirana, Radolfzell. Gjatë takimit vjetor të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës, mbajtur javën e shkuar në Strasbourg, autoriteteve shqiptare iu kërkua ndalimi i punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Gjithashtu, Komiteti i kërkoi qeverisë shqiptare të nisi një program gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe të integrojë të dhënat në raportin e rishikuar të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Këto kërkesa vijnë pasi përfaqësues nga Konventa e Bernës, së bashku me përfaqësues nga Konventa për Shpendët Shtegtues (CMS) si dhe Marrëveshjen për Ruajtjen e Shpendëve të Ujit të Afrikës dhe Euroazisë (AEWA) realizuan një vlerësim në terren të situatës në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë. Gjithashtu, qeveritë evropiane kundërshtuan rishikimet e fundit të kufinjve të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, të cilat e copëtojnë zonën e mbrojtur dhe i hapin rrugën ndërtimit të aeroportit. Veç kësaj, në rekomandimet e saj, Konventa e Bernës mbështet kërkesat e dy organizatave mjedisore AOS dhe PPNEA si dhe EuroNatur.
Më 23 nëntor 2022, PPNEA dhe AOS, me mbështetjen e EuroNatur, ngritën një padi në Gjykatën Administrative kundër ndërtimit të aeroportit brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Ky ndërtim shtrihet brenda një prej ligatinave dhe zonave më të rëndësishme të biodiversitetit në Shqipëri dhe përgjatë korridorit shtegtues të Adriatikut, një rrugë shtegtimi e rëndësishme për shumë shpendë shtegtues. Me vazhdimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, qeveria shqiptare shkel ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare.
„Autoritetet Shqiptare duhet të ndalojnë menjëherë këto aksione që po shkatërrojnë mjedisin“, thotë Annette Spangenberg, drejtuese e konservimit pranë EuroNatur. „Është vështirë të imagjinohet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian kur po shkatërrohen qëllimisht zonat e rëndësishme të mbrojtura evropiane“
Vendimi i fundit i Komitetit të Përhershëm të Bernës është një qëndrim i ashpër dhe i qartë se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe vetë BE-ja ka kundër ndërtimit të Aeroportit të Vlorës brenda një zone candidate Emerald si dhe brenda një zone të mbrojtur në Shqipëri. Kokëfortësia e qeverisë shqiptare për të vazhduar me ndërtimin e aeroportit brenda një zone të mbrojtur, në kundërshtim të plotë me legjislacionin kombëtar për ruajtjen e natyrës dhe konventat ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar, është një tregues shqetësues se vendi në fakt po regreson ndaj rrugës së saj drejt integrimit evropian. Duke ndërtuar një aeroport në një korridor shtegtues dhe në një zonë të mbrojtur të njohur në nivel ndërkombëtar, qeveria shqiptare jo vetëm po shkatërron natyrën e vendit të saj, por edhe po dëmton trashëgiminë natyrore të të gjithë kontinentit Evropian”, thotë Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
“Çdo problematikë krijon një mundësi! Në këtë rast, i bëj thirrje qeverisë shqiptare t’i bindet vendimit të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës, për të ndalur ndërtimin e aeroportit dhe për t’u bashkëpunuar me grupimet OSHC mjedisore dhe institucionet akademike për të rimëkëmbur habitatet e dëmtuara brenda Zonës së Mbrojtur. Në i kërkojmë qeverisë të anulojë vendimet e fundit për reduktimin e sipërfaqes dhe habitateve të Vjosë-Nartës dhe zonave të tjera të mbrojtura bregdetare të Shqipërisë. Veproni tani dhe mos ua lini atë barrë mjedisore brezave të ardhshëm!” thotë Taulant Bino, drejtuesi i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë (AOS).
Shënime për editorët:
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është një ndër sistemet ekologjike më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në vend, shtëpi e llojeve të rëndësishëm të florës dhe faunës. Kjo zonë është pjesë e disa rrjeteve ekologjike ndërkombëtare, pjesë e korridorit shtegtues të Adriatikut, me më shumë se 220 lloje shpendësh.
Qysh prej fillimit, organizatat joqeveritare kombëtare e ndërkombëtare kanë kundërshtuar planet për ndërtimin e aeroportit brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Letra të hapura, manifestime, dhe rishikimi i raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) janë vetëm disa nga aksionet e ndërmarra për të kundërshtuar këtë ndërtim të paligjshëm.