Me nxënësit e shkollës 9-vjeçare ‘9 Tetori’ të qytetit të Sarandës, u realizua një kamp veror, i cili mori trajtën e një turi të njohjes së biodiversitetit, veçanërisht të avifaunës për disa zona të Shqipërisë.
Nën tematikën e këtij viti të Spring Alive “Si mund t’i mbrojmë foletë e shpendëve”, nxënësit vizituan platformën e folezimit të lejlekut (Ciconia ciconia) në Gjirokastër, e ndërtuar nga PPNEA, OST dhe ADZM Gjirokastër. Nëpërmjet një bashkëbisedimi me drejtorin e ADZM Gjirokastër, fëmijët mësuan më shumë për çiftin e lejlekëve, mënyrën si ndërtojnë folenë, sjelljen e tyre dhe kujdesin që prindërit tregojnë për të vegjëlit e tyre. Më tej ata u njohën edhe me shpendët e tjerë shtegtues të zonës, si kali i qyqes, skifteri kthetrazi etj.
Vizita e radhës e nxënësve ishte në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë, dhe parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku përveçse u informuan për rëndësinë e këtyre zonave, diversitetin që ato mbartin, u prezantuan dhe me 7 llojet e Spring Alive, disa prej të cilëve arritën ti kundronin gjatë këtij turi. Aktivitete të tilla janë mjaft të rëndësishme për fëmijët, pasi ju mundëson atyre ta njohin më shumë natyrën si dhe të ndërgjegjësohen mbi rëndësinë e ruajtjes së saj.
Ky event u mundesua financiarisht nga projekti Land of Eagles and Castles II dhe iniciativa SpringAlive.
© PPNEA
© PPNEA
© PPNEA