Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të rrëqebullit të Ballkanit PPNEA dhe AdZM Shkodër zhvilluan një aktivitet edukativ me nxënësit e Shkollës 9-vjeçare “Pjetër Arbnori” në Fushë-Arrëz , një nga zonat më të rëndësishme të habitatit të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri, e cila ndodhet në rajonin e Munellës.
Gjatë aktivitetit, fëmijët mësuan më shumë për llojet e rrezikuara të faunës së egër shqiptare, habitatet që gjenden pranë shtëpive të tyre dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre. Përmes fotografive të realizuara nga kamerat kurth, ata zbuluan se pyjet që i rrethojnë janë shtëpia e ariut të murrmë, kaprollit, lepurit, dhisë së egër, ujkut dhe rrëqebullit të Ballkanit, një nga macet e egra më të rralla në botë, dhe më të rrezikuara në Evropë.
Nxënësit u njohën gjithashtu me mënyrën se si monitorohet jeta e egër përmes kamerave kurth, si identifikohen gjurmët e rrëqebullit të Ballkanit në natyrë dhe pse të dhënat e mbledhura janë kaq të rëndësishme për mbrojtjen e këtij lloji.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte puna dhe përkushtimi i vetë nxënësve, të cilët kishin përgatitur pankarta informative mbi rrëqebullin e Ballkanit, duke ndarë me bashkëmoshatarët njohuritë e tyre mbi këtë lloj të rrallë. Aktiviteti u pasurua edhe më tej nga performancat artistike të fëmijëve, të cilët interpretuan këngë tradicionale të veshur me kostume popullore, duke sjellë së bashku trashëgiminë kulturore dhe atë natyrore të zonës.
Çdo fëmijë u largua duke mbajtur në duar librin “Rrëqebulli — Historia e Shpresës”, një histori që flet për mbijetesën, shpresën dhe rëndësinë e mbrojtjes së natyrës.
Gjatë aktivitetit, Shkolla 9-vjeçare “Pjetër Arbnori” u pajis me fotografi të gjitarëve të zonës, të realizuara nga kamerat kurth gjatë monitorimit të faunës së egër. Këto fotografi do të shërbejnë si një mjet edukimi dhe ndërgjegjësimi për biodiversitetin lokal. Pankartat, fotografitë e jetës së egër dhe entuziazmi i fëmijëve na kujtuan se konservimi nuk ndodh vetëm në terren, ai fillon edhe në klasë. Çdo fëmijë që mëson për natyrën sot, bëhet nesër një mbrojtës i saj.








