NJOFTIM PËR SHTYP
ZONAT E “PA-MBROJTURA” TË SHQIPËRISË
PARLAMENTI INJORON PROTESTËN E SHOQËRISË CIVILE DHE MIRATON PROJEKTLIGJIN PËR ZONAT E MBROJTURA
Qytetarët Dhe Shoqëria Civile Shprehin Zhgënjimin E Tyre Pas Miratimit Të Projektligjit Që Kërcënon Haptazi Zonat E Mbrojtura Të Shqipërisë
Tiranë, Shqipëri – 22 shkurt 2024: Pavarësisht thirrjeve jashtë Kuvendit të Shqipërisë, qytetarët, grupime të organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë në fushën e ruajtjes së natyrës, u tronditën kur dëshmuan miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2017 për Zonat e Mbrojtura” ditën e sotme, vetëm 7 minuta pas nisjes së seancës plenare.
Protesta, e cila filloi në orën 9:30, u organizua për të shprehur kundërshtimin ndaj projektiligjit që kërcënon integritetin e Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë. Jashtë mureve të Kuvendit të Shqipërisë kumboi sot një zë i unifikuar, duke i bërë jehonë reagimit kolektiv të qytetarëve për kujdesin që duhet të tregojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, për vlerat natyrore të vendit tonë që njihen nga rrjetet ndërkombëtare. Megjithatë, brenda dhomave të pushtetit, kjo kërkesë u prit me indiferencë.
Pavarësisht thirrjeve, procedurat parlamentare vazhduan, duke kulmuar me miratimin e draftit përfundimtar.
Projektligji tashmë i miratuar, i hap rrugën shkatërrimit të Parqeve Kombëtare dhe shënon fundin e rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura duke i transformuar në “Zona të Pa-Mbrojtura”.
Ky projektligj kërcënon dekada përpjekjesh dhe investimesh të ruajtjes për të mbrojtur pasurinë natyrore të vendit tonë. Ne, së bashku me grupimin e organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë në fushën e ruajtjes së natyrës, i kemi shqyrtuar tërësisht ndryshimet e miratuara sot dhe e kundërshtuam fuqimisht zbatimin e tyre.
Mospërfillja ndaj ndjenjës publike të shfaqur sot është zhgënjyese.
Rezultati i seancës së sotme parlamentare nënvizon nevojën urgjente për përkushtim të vazhdueshëm për të mbrojtur trashëgiminë natyrore të Shqipërisë dhe për të përballuar sfidat që paraqiten përpara nesh. Ndryshimet e miratuara në projektligj sjellin rrezik të konsiderueshëm për të ardhmen e mjedisit shqiptar, duke kërcënuar vlerat dhe burimet natyrore që janë thellësisht të rëndësishme për identitetin e vendit tonë.
Për pyetje mediatike ose informacion shtesë, ju lutemi kontaktoni:
Lorena Pyze Xhafaj│Zyrtare për Komunikimin dhe Marrëdhënien me Publikun │email: [email protected]
Për më shumë informacion: