Bashkia Kukës ka luajtur një rol shumë aktiv në përcaktimin e Parkut Natyror Korab – Koritnik dhjetë vjet më parë dhe që nga ajo kohë ka vazhduar të jetë i përfshirë në rajon. Për këtë arsye, më 9 nëntor në Kukës u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve, ku Gabriel Schwaderer – Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur, përgëzoi të gjithë bashkinë dhe në veçanti kryebashkiakun Safet Gjici, duke i dhënë çmimin e merituar nga Shoqata Evropiane e Brezit të Gjelbër për kontributin e dhënë në ruajtjen e natyrës përgjatë Brezit të Gjelbër Ballkanik.
Pas ndarjes së çmimit në Bashkinë e Kukësit, realizuam një vizitë në Muzeun Etnografik të Kukësit, për të treguar vlerat kulturore dhe natyrore që mbart ajo zonë.
Gjithashtu, gjatë tre ditëve në terren, PPNEA organizoi një tur për partnerët tanë dhe organizatat e tjera mjedisore të pranishme në takim të përfshira në projektin e Brezit të Gjelbër, për të pasur një ide më të qartë në zhvillimin e projekteve të ardhshme.
Është e rëndësishme të përmendim AdZM Kukes dhe Adzm Diber, për kontributin e dhënë në menazhimin dhe zbatimin e projekteve të ndryshme në Parkun Natyror Korab – Koritnik.
Ishte kënaqësi të mblidheshim të gjithë së bashku, duke vlerësuar hapësirat e mundshme për zhvillimin e zonës dhe duke shkëmbyer ide për punën në vazhdim.