PPNEA realizoi gjatë javës së kaluar, një aksion pioner për restaurimin e habitatit me vërri (Alnus glutinosa) në buzë të liqenit të Prespës së Vogël, duke ndjekur modelin dhe përpjekjet e partnerëve të PrespaNet në të dy anët e basenit të Prespës. Ky lloj është i rëndësishëm, pasi përfaqëson një habitat prioritar të njohur si pyje aluvialë të vërrisë në nivel evropian, si pjesë e Aneksit të I-rë të Direktivës së Habitateve 92/43/EEC. Përhapja e këtij habitati është mjaft e kufizuar, prandaj dhe aksione të tilla ndihmojnë për ruajtjen dhe zgjerimin e tij. PPNEA dhe ADZM Korçë, punuan së bashku me një fidanishte vendase në rajonin e Korçës për të prodhuar 300 fidanët e parë të vërrisë duke përdorur fara të grumbulluara nga baseni i Prespës. Ky aksion mblodhi së bashku nxënës nga shkollat e mesme “Fuat Babani”, Bilisht dhe gjimnazi i Pustec-it, nxënës nga shkolla 9-vjeçare e Trenit, stafet mjedisore nga bashkitë Bilisht dhe Pustec, si dhe përfaqësues nga organizatat lokale. Për ne është e rëndësishme që ruajtja dhe mbrojtja e natyrës të përfshijë edhe brezat e rinj në mënyrë që të zgjojmë tek ata ndjeshmërinë për natyrën dhe kujdesin që duhet të tregojmë . Ky aksion realizohet si pjesë e projektit të Prespës – “Ruajtja e Biodiversitetit në Basenin Ndërkufitar të Prespës”, mbështetur nga Fondi i Besimit për Ruajtjen e Natyrës për Ohrin dhe Prespën (PONT), EuroNatur dhe Fondacioni Aage V. Jensen.