Vjosë – Narta: Nga një oaz për jetën në një fabrikë shkatërrimi mjedisor

Vjosë – Narta: Nga një oaz për jetën në një fabrikë shkatërrimi mjedisor

Data 10/03/2021

Njoftim për Shtyp

  Ditën e premte, datë 5 Mars 2021, Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama, në një lidhje drejtpërdrejtë nëpërmjet platformës Facebook, diskutoi për rrugëtimin e planit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, duke shpallur edhe fituesin e garës, kompaninë “Mabetex International”, e themeluar nga Z. Behxhet Pacolli. Ligjërimi i Kryeministrit Edi Rama ishte i mbushur me nota të forta patriotizmi, duke fshehur, në këtë mënyrë, shumë aspekte të rëndësishme të cilat qëndrojnë pas këtij plani fatkeq zhvillimor, i cili shkel drejtpërdrejtë ligjet kombëtare, si ai nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, ashtu edhe konventa apo direktiva të rëndësishme evropiane. Negocimi i kontratës së aeroportit filloi ditën e hënë, datë 8 Mars 2021, një proces i cili pritet të zgjasë 30 ditë deri në firmosjen përfundimtare midis palëve. Sipas Kryeministrit, asgjë nuk e pengon më këtë kontratë nga firmosja, duke u shprehur se janë ndërmarrë studime serioze të natyrës gjeologjike, ekonomike, financiare, apo lidhur me punësimin. Për më tepër, ai pohoi se “…larg qoftë nëse diçka tjetër që nuk e dimë e nuk duhet na vjen përpara”, duke listuar si një pengesë të kaluar vetëm pandeminë COVID – 19. A nuk është vallë në dijeni zoti Kryeministër për kundërshtimin e vazhdueshëm të shoqërisë civile mjedisore kombëtare e ndërkombëtare ndaj ndërtimit aeroportit në brendësi të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë – Nartë? Nuk besojmë! Zoti Kryeministër ka vendosur t’i anashkalojë këto qëndrime opozitare, vetëm e vetëm për të përmbushur planin e tij, i cili nuk do t’i shërbejë as popullsisë lokale në Nartë, as Vlorës dhe as Shqipërisë, por vetëm kësaj kompanie, apo palëve të interesit të përfshira drejtpërdrejtë në këtë projekt. Kryeministri Edi Rama e quajti këtë aeroport një “fabrikë buke”, e cila do të prodhojë mirëqënie dhe vende pune për shumë e shumë njerëz, për arsyen se aeroporti “…nuk është një stacion autobusi”. Me këtë lojë ligjërimi Kryeministri është duke përfituar, në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga varfëria e popullsisë lokale dhe mungesa e vendeve të punës, dy përgjegjësi që kjo qeveri e të tjera para saj duhet t’i kishin adresuar prej kohësh. Megjithatë, aeroporti nuk do të rregullojë asnjë nga këto problematika, popullsia lokale do vazhdojë të jetë e varfër e të tjerë do të pasurohen në kurriz të tyre e në kurriz të natyrës. Mjafton të hidhni sytë në fshatin e Rinasit për të kuptuar sesa kanë përfituar banorët lokal nga aeroporti që kanë pranë shtëpive të tyre. Ata janë po njësoj të varfër, e për më tepër vuajnë pasojat e ndotjes së madhe mjedisore. Kompania “Mabetex International”, dëshiron të lërë gjurmë në Shqipëri, të ndihmojë në zhvillimin e saj. Por, fatkeqësisht, kjo kompani dhe qeveria jonë kanë vendosur gishtin në një zonë e cila ruhet pikërisht për këtë arsye, që njerëzit të mos lenë gjurmë aty. Peizazhi i Mbrojtur Vjosë – Nartë është pjesë e Rrjetit Kombëtar të Zonave të Mbrojtura. Shkatërrimi i vetëm një prej këtyre zonave do të niste një precedent të turpshëm për vendin tonë. Vetëm e vetëm për të anashkaluar shpronësime masive që priteshin të ndodhnin në një territor tjetër potencial, qeveria e Shqipërisë ka zgjedhur të shkatërrojë një ekosistem unik, i cili shërben si vend strehimi apo pushimi për një numër të konsiderueshëm llojesh të jetës së egër. Për më tepër, ruajtja zonave të mbrojtura si Vjosë – Narta ka një rëndësi thelbësore në procesin e integrimin të vendit në Bashkimin Evropian. Shkatërrimi i tyre do të sillte vështirësi të shtuara në këtë proces të zgjatur, i cili është përmendur edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, datë 6 Tetor 2020 (faqe 106, paragrafi 2).
Postime të ngjashme