NJOFTIM PËR SHTYP – NDALONI MASAKRËN NË VJOSË–NARTË!

NJOFTIM PËR SHTYP – NDALONI MASAKRËN NË VJOSË–NARTË!

Zëri qytetar u ngrit para Ministrisë së Mjedisit kundër shkatërrimit në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë.  

Tiranë, 26 Maj 2026 –Qytetarë dhe mbështetës të mbrojtjes së natyrës u mblodhën sot para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë për të protestuar kundër shkatërrimit që po vazhdon në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë.

Protesta u organizua nga Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), pas denoncimeve dhe raportimeve të vazhdueshme nga terreni, si dhe mungesës së plotë të transparencës dhe reagimit institucional nga autoritetet përgjegjëse.

Me pankarta dhe thirrje publike si “Hiqni duart nga Vjosë–Narta”, protestuesit kërkuan ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore për të ndalur menjëherë punimet dhe ndërhyrjet që po transformojnë në mënyrë të pakthyeshme një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri.

Gjatë protestës u denoncua heshtja institucionale përballë situatës në terren, mungesa e transparencës mbi projektin dhe dështimi për të mbrojtur një zonë me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Qytetarët theksuan se Vjosë–Narta nuk mund të trajtohet si një kantier ndërtimi dhe se mbrojtja e saj është një detyrim publik dhe institucional.

Pavarësisht denoncimeve publike dhe konferencave të fundit për shtyp të organizuara, ku janë evidentuar ndërhyrje të paligjshme dhe tjetërsimi i habitatit natyror, institucionet shtetërore kanë zgjedhur të heshtin dhe ta minimizojnë situatën, duke e konsideruar atë thjesht si “rrethim të një prone private për qëllime studimesh gjeologjike”.

Verifikimet më të fundit në terren dëshmojnë të kundërtën. Betonizimi i vijës bregdetare, hapja e rrugëve permanente nga makineritë e rënda dhe kufizimi i paligjshëm i aksesit publik konfirmojnë ngritjen e një kantieri që po shkakton dëme të pakthyeshme në një ekosistem me rëndësi kritike për biodiversitetin dhe shpendët shtegtarë.

Përmes kësaj proteste, u kërkua në mënyrë të prerë:

  • Ndalimi i menjëhershëm të punimeve dhe tërheqjen e makinerive të rënda nga zemra e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro–Nartë;
  • Publikimi i çdo dokumenti zyrtar, përfshirë Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe lejet përkatëse, të cilat deri më sot nuk janë bërë transparente për publikun dhe grupet e interesit;
  • Ndërhyrja e menjëhershme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), IKMT-së dhe Policisë së Shtetit për të ushtruar përgjegjësitë e tyre ligjore ndaj shkatërrimit në këtë zonë të mbrojtur.

Ky krim mjedisor potransformon njëherë e përgjithmonë Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro – Nartë.

Kjo protestë vjen pas një serie reagimesh publike, deklaratash dhe konferencash për shtyp të organizuara nga palët e interesit gjatë javëve të fundit, ku janë publikuar vazhdimisht prova dhe dokumentime nga terreni mbi ndërhyrjet në zonë.

Për të ndjekur zhvillimet dhe reagimet publike mbi situatën në Vjosë–Nartë lexoni:

Vjosë–Narta përfaqëson një nga ekosistemet ligatinore më të rëndësishme në Shqipëri dhe pjesë të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, me rëndësi të jashtëzakonshme për biodiversitetin, shpendët shtegtarë dhe trashëgiminë natyrore të vendit.

Për informacione të mëtejshme: [email protected].

Postime të ngjashme